EcoVolis - Si funksionon?
Stacioni ecovolis dhe rregullat e shërbimit - postuar 15 Prill, 2011
Në Tiranë ka sot 80 biçikleta "Ecovolis", në katër stacione të ndryshme: dy në Kodrat e Liqenit Artificial, një në zonën e ish Bllokut dhe një tjetër në Parkun "Rinia". Në sistemin e biçikletave me qira, anëtarët mund të marrin një biçikletë në një nga stacionet, për shembull, tek Parku Rinia, dhe ta kthejnë atë në një stacion tjetër, për shembull tek Parku i Liqenit. Pasi keni bërë pagesën modeste të anëtarësimit, ju mund të përdorni biçikletën sa herë të dëshironi dhe nuk do të paguani për 30 minutat e para. Pas këtyre minutave pagesa vjen në rritje nga 30-90 lekë, një mënyrë kjo për të kushtëzuar përdoruesit të qëndrojnë tek 30 minutat e para falas. Gjithashtu keni mundësi të bëni abonimin ditor (100 lekë), mujor (900 lekë) dhe vjetor (3900 lekë), duke iu dhënë mundësinë të përdorni biçikletën gjatë gjithë kohëzgjatjes së abonimit tuaj. Ju mund të merrni biçikletën "Ecovolis" sa herë të dëshironi gjatë ditës-dhe çdo herë do të keni 30 minuta falas. "Kjo është një mënyrë shumë praktike për të lëvizur në qytet, nga pika A në pikën B. Nëse anëtarët dëshirojnë të përdorin biçikletën gjatë gjithë ditës, atëherë do të ishte më efektive të përdorin abonimin", - thotë drejtuesi i programit Z. Ened Mato. Biçikleta ka një shalë komode, një pedalim të qetë, një mbulesë për të mbrojtur rrobat tuaja, një kosh për të mbajtur çantën dhe një zile. Objektivi deri në fund të vitit është që të vendosen 120 biçikleta në 12 stacione në të gjithë qytetin. | Lexo më tepër
EcoVolis - Projekti që po çudit!
hapen stacionet e para Ecovolis - postuar 22 Prill, 2011
I gjithë ky projekt që po habit por edhe entuziazmon qytetarët në kryeqytet quhet "Ecovolis", një fjalë e përbërë nga "Eco" për "ekologjike" dhe "volis" për "fluturim": "Ne besojmë", thotë Ened Mato, drejtues i Ecovolis, se biçikleta do të përmirësojë jetën e qytetarëve të Tiranës, pasi ajo që mesa duket kanë më shumë nevojë qytetarët e vitit 2011 janë ushtrimet fizike dhe rritja e aktivitetit fizik". Ai shton se përveç kësaj është më e lehtë edhe të "çash" mes përmes trafikut kaotik të kryeqytetit me një biçikletë. Ne e testuam këtë nismë dhe rezulton se të marrësh një biçikletë e të pedalosh me të në Tiranë, është një aventurë, ndonjëherë edhe e rrezikshme, por që ia vlen ta çosh deri në fund. Gjithmonë ka një grup nismëtarësh më të guximshëm të cilët janë ata të cilët çajne shtegun në mënyrë që të tjerët dhe brezat e ardhshëm ta gjejnë disi gati, infrastrukturën dhe kulturën e biçikletës. Karta e anëtarësimit mund të merret në çdo stacion Ecovolis. Një nga vajzat e reja të cilat punojnë në sportelin e këtij stacioni, regjistron në një arkiv të dhënash emrin, mbiemrin dhe të dhënat tuaja të marra nga një dokument i vlefshëm identifikimi, që kushdo qytetar që dëshiron të marrë një biçikletë, duhet ta ketë me vete. Më pas, 30 minutat e para të pedalimit janë falas, e pas kësaj çdo orë me biçikletën "Ecovolis" kushton vetëm 60 lekë. | Lexo më tepër
EcoVolis - Bike Tour
aventurat e ecovolis bike tours - postuar 12 Mars, 2011
Ecovolis Bike Tour është nisma më e re për të promovuar një fundjavë aktive, të shëndetshme dhe miqësore ndaj mjedisit. Të rinj, por jo vetëm, kanë qënë pjesëmarrësit e dy udhëtimeve me bicikletë të organizuar pranë Parkut të Liqenit Artificial, duke përjetuar një eksperiencë plot aventurë dhe emocione.
Aktiviteti është organizuar në bashkëpunim me Klubin e Kampistave, të cilët përmes rrjeteve sociale si Facebook kanë informuar dhe nxitur të rinjtë të jetë pjesë e këtij aktiviteti, duke marr një përgjigje pozitive nga më shumë se 65 të rinj. Për realizimin e udhëtimit, Eco Bicycle Shop ka siguruar bicikleta për të gjithë pjesëmarrësit, kryesisht bicikleta për mal për shkak të terrenit në itinerarin e planifikuar. Ecovolis Bike tours janë udhëtime në grupe të vogla, të krijuar për t'ju dhënë një eksperiencë përtej rutinës së përditshme. Bike tours janë udhëtime fantastike, në vende te vecanta, për njerëz aktiv. Programi BikeTours është krijuar për të qënë miqësore ndaj mjedisit, ekonomikisht e leverdisshme, edukuese, të mundshme për njerëz aktiv që kërkojnë të kenë aventurë. Secili udhëtim është unik, ka një sërë aktivitetesh (zakonisht sportive) duke shijuar pamjet e mrekullueshme te vendit tonë. Përgatituni të gjeni një eksperiencë argëtuese, aktive, sociale me plot emocione. Udhetimet do te organizohen 2 herë në muaj, në varësi edhe të motit. Disa udhëtime do të jenë në destinacione të afërta, ndërsa në udhëtime më të gjata, do të ngremë një mini-kamping, ku do të shijojnë shoqërinë e njëri-tjetrit, lojra, karaoke…etj. | Lexo më tepër
EcoVolis - Fluturimi ekologjik
mbërriti biçikleta e parë publike në Tiranë - postuar 17 Nëntor, 2010
Tashmë edhe në Shqipëri stacionet e biçikletave janë një realitet. EcoVolis quhet biçikleta e pare publike e përshtatur në Shqipëri nga Skuadra Eco-Bicycle. Eco Volis vjen nga latinishtja dhe nënkupton fluturim ekologjik, (volis në latinisht fluturim). Kjo biçikletë i përket qytetarëve dhe komunitetit të Tiranës të cilët shumë shpejt do të kenë mundësinë ta përdorin për punët e tyre të përditshme, duke i dhënë më shumë frymëmarrje qytetit, cilësi më të mirë të ajrit që thithim dhe një lëvizje më pak të ngarkuar me makina. Stacionet e para Ecovolis do të jenë pranë ish parkut Rinia, në Ish Bllok, në parku e Liqenit dhe në pika të tjera kyçe për transportin e qytetarëve të Tiranës. Kushdo mund ti përdori duke u anëtarësuar në këtë shërbim për të përfituar jo vetëm mundësinë e përdorimit të Ecovolis por edhe shumë alternative të tjera që ofrohen nga Eco Bicycle në përdorimin dhe veprimtarinë me biçikleta. Ky projekt ambicioz është i pari i këtij lloji në Ballkan, shumë shpejt do të përhapet edhe në qytetet e tjera kryesore të Shqipërisë. | Lexo më tepër